Rritje e eksportit / Produktet e Kosovës edhe në SHBA

Dogana ka njoftuar se Kosova në vitin 2021 ka shënuar rritje të eksportit, ku vlera totale e produkteve të Kosovës të cilat janë eksportuar deri më tani kap shifrën e 253 milionë eurove, raporton Sinjali.

Zëdhënësi i Doganës, Adriatik Stavileci ka deklaruar se ka pasur rritje për 66 për qind në eksport apo 101 milionë euro më shumë krahasuar me vitin paraprak.  

“Periudha janar-maj mund të them që prapë është përveç që kemi një rekord në të hyra kemi edhe një rekord në eksport. Ne deri tani kemi të eksportuara 66 përqind më shumë se viti paraprak pra kemi rreth 101 milionë euro më shumë eksporte dhe në total vlera eksportit në vitin 2021 ka arrit në 253 milionë euro që krahasuar me vitin e kaluar në të njëjtë periudhë ka qenë 152 milionë euro dhe ka rritje mjaft domethënëse”, është shprehur ai.

Stavileci potencoi se ka rritje të eksportit edhe drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. “Eksporti i Kosovës është i drejtuar në dy drejtime, fillimisht kemi eksportin në vendet e rajonit, pastaj kemi edhe eksportin në vendet e BER-së dhe kryesisht kemi rritje mjaft domethënëse të eksportit drejt ShBA-së”, ka thënë Stavileci.

Ai ka thënë se produktet që i sjellin më shumë të hyra Kosovës janë produktet e luksit, derisa ka përmendur që ka rritje të importit të naftës, duhanit dhe automjeteve.