Tragjeditë e Pejës

Gëzim Aliu

(Resmije Kryeziu, “Nën saç”, roman, botoi “Lena Graphic Design”, Prishtinë, 2021)

Pas romanit “Rrota e ujit” (2018), që është dëshmi e mundësive dhe aftësive të saj rrëfimtare, roman që letrarizon shumë ngjarje e histori të Gjakovës, Resmije Kryeziu boton romanin “Nën saç”, përmes të cilit rrëfen e përshkruan tragjeditë e Pejës.

Disa elemente letrare e dokumentare e mbajnë gjallë leximin e kësaj vepre narrative: gërshetimi i rrëfimit të narratorit me mendimet e autores, ngjarjet e historitë që lidhen në tërësi, personazhet, idetë, ambienti dhe gjuha. Përmes këtyre përbërësve autorja e ka krijuar botën e romanit dhe e fton lexuesin të hyjë në të.

Në këtë roman narratori është i realizmit, që zakonisht quhet narrator i gjithëdijshëm. Mirëpo, dihet se asnjë narrator nuk i rrëfen të gjitha, meqë shumë gjëra mbesin të nënkuptuara, në këtë mënyrë edhe kemi rrëfime për storie të ndryshme të caktuara, të përzgjedhura nga autori. Ky tip narratori di shumëçka dhe na e rrëfen atë që e lejon autori i nënkuptuar dhe ka një varg aftësish. Mund të kalojë nga një personazh në tjetrin, mund të futet në mendjen e tyre, në zemrën, në fshehtësitë, mund ta përshkruajë qytetin nga perspektiva e shpendit, por edhe duke ecur rrugëve, mund të lëvizë në kohë, përpara e kryesisht prapa, mund të japë rrëfime paralele, mund ta ndalë një ngjarje për ta rrëfyer një tjetër. Lexuesi, kur futet në botën e rrëfyer, asnjëherë nuk bën pyetje se si ia arrin kjo instancë të bëjë të gjitha këto. Rrëfimi realist ia lejon. Rrëfimi realist zakonisht realizohet përmes këtij tipi të narratorit, rrëfim në vetëne tretë. Ndodh që këtij tipi të narratorit i ndërhyn shpesh autori, sidomos në ide, ideologji, shprehje opinionesh e mendimesh. Të rrëfyerit në romanin “Nën saç” realizohet duke e kombinuar narratorin si instancë teknike dhe autorin e nënkuptuar si instancë ndërhyrëse ideore. Ky kombinim në pjesën më të madhe të romanit të R. Kryeziut nuk e prish baraspeshën artistike.Edhe pse temat për të cilat rrëfehet janë shumë të ndjeshme dhe është e vështirë të mos ndodhë përfshirja e thellë autoriale, Resmije Kryeziu arrin ta ndërtojë artistikisht rrëfimin për ngjarje e histori që kanë ndodhur vërtet. Është e vështirë të rrëfehet për dhunën, torturat, vrasjet, krimet, përzëniet, pa emocion. Meqë qëllimi primar në këtë roman është pikërisht rrëfimi për tragjeditë e Pejës, edhe prania e emocionit letrar është natyrisht e justifikueshme, madje e nevojshme. Pa shprehjen e emocionit autorial, nuk do të arrihej as përfshirja e lexuesit. Duhet thënë se ngjarjet e historitë që rrëfehen në këtë roman janë prekëse, tronditëse.